Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, ka nënshkruar sot kodin e mirësjelljes së personave të burgosur në institucionet korrektuese dhe udhëzuesin për zbatimin e kritereve dhe sqarimin e faktorëve për shfrytëzimin e pushimit jashtë institucionit korrektues për personat e dënuar.
Të dyja këto akte synojnë të forcojnë standardet e sigurisë, rendit dhe disiplinës në institucionet korrektuese, duke krijuar një qasje më të qartë dhe të standardizuar në menaxhimin e personave të burgosur dhe në proceset që lidhen me rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre.
Kodi i mirësjelljes përcakton rregullat dhe standardet e sjelljes që duhet të respektohen nga personat e dënuar dhe të paraburgosur gjatë gjithë qëndrimit të tyre në institucionet korrektuese. Ai vendos theks të veçantë në respektimin e rendit dhe disiplinës, komunikimin korrekt me stafin dhe personat e tjerë të burgosur, shmangien e dhunës, kërcënimeve dhe konflikteve, respektimin e dinjitetit dhe të drejtave të të tjerëve, si dhe bashkëpunimin në proceset e sigurisë, rehabilitimit dhe riintegrimit.
Ndërsa udhëzuesi për pushimet jashtë institucionit përcakton mënyrën e zbatimit dhe vlerësimit të kritereve për shfrytëzimin e këtij beneficioni. Vlerësimi bëhet në mënyrë individuale, objektive dhe profesionale, duke u bazuar në të dhëna konkrete dhe të verifikueshme, si dhe në vlerësimin e rrezikut.
Në këtë proces merren parasysh vepra penale për të cilën personi është dënuar, qëndrimi ndaj veprës penale, sjellja gjatë vuajtjes së dënimit, respektimi i rregullave të institucionit, pjesëmarrja në programet rehabilituese, niveli i përgjegjësisë dhe besueshmërisë, rreziku për sigurinë publike, mundësia e përsëritjes së veprës penale, historiku i tentimeve për arratisje, si dhe rrethanat dhe mbështetja familjare.
Procesi i vlerësimit zhvillohet përmes ekipit multidisiplinar, i cili pas shqyrtimit të të gjitha kritereve, faktorëve dhe rrethanave relevante, interviston personin e dënuar dhe i rekomandon drejtorit të institucionit korrektues aprovimin ose refuzimin e kërkesës. Vendimi përfundimtar merret në bazë të vlerësimit të dokumentuar dhe legjislacionit në fuqi.
Me këto hapa, Shërbimi Korrektues i Kosovës vazhdon të avancojë standardet profesionale në institucionet korrektuese, duke e vendosur në fokus sigurinë dhe disiplinën, krahas rehabilitimit, përgjegjësisë personale dhe përgatitjes së personave të dënuar për riintegrim në shoqëri.

