Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike nuk ka bërë shqyrtimin e raportit të auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Radio Televizionit të Kosovës, për vitin e përfunduar më 31 Dhjetor 2022.
Anëtarja e Bordit të RTK-së, Albulena Mehmeti tha se është e gatshme të raportojë për raportin e auditimit të pasqyrave financiare të RTK-së.
Por disa nga deputetët kërkuan që kjo mbledhje të shtyhet për ndonjë ditë tjetër, me arsyetimin se ne mbledhje duhet të jetë prezent kreu i Bordit të RTK-së.
Deputeti Visar Korenica tha se nuk është e vërtet që kreu i bordit, Besnik Boletini po i ik përgjegjësisë dhe të mos raportojë në këtë komision.
Drejtori i përgjithshëm i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), Shkumbin Ahmetxhekaj, tha se është hera e katërt që diskutohet për këtë raport. Ai bëri me dije se ky raport është diskutuar edhe në komisionet e tjera të kuvendit.
Në fund pas debatit mes anëtarëve të komisionit u vendos që raporti i auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Radio Televizionit të Kosovës, të shqyrtohet në një nga mbledhje e ardhshme të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike.


