:
Është shtyrë seanca e shqyrtimit fillestar në rastin rezervat shtetërore e paraparë të mbahej të mërkurën.
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë nuk ishin prezentë, ministrja në detyrë e MINT-it, Rozerta Hajdari dhe avokati Feim Malaj, që përfaqëson Irfan Lipovicën.
Me vonesë në seancë erdhi biznesmeni Ridvan Muharremi e avokati Mahmut Halimi.
Gjyqtari Avni Syla tha se në mungesë të kushteve ligjore dhe mbrojtësit të Irfan Lipovicës, Fehim Alaj, seanca e shqyrtimit fillestar nuk ka kushte të mbahet.
Seanca u shty për datën 13 janar nga ora 9:30.
Ministrja Hajdari, ish-zëvendëssekretari i MINT, Irfan Lipovica, si dhe drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetërore në MINT, Hafiz Gara, akuzohen për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”. Ndërsa, afaristin Ridvan Muharremi i njohur si “Ridi”, PSRK-ja po e akuzon për kryerjen e veprës penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Bazuar në aktakuzën e PSRK-së, të pandehurit Rozeta Hajdari në cilësinë e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica si zëvendëssekretar dhe Hafiz Gara në pozitën e Drejtorit të Departamentit të Rezervave Shtetërore, në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, duke iu shmangur procesit të konkurrencës, me procedurë të negocimit kishin negociuar dhe më pas nënshkruar kontratën me kompaninë turke “Yafe Turizm Indaat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” me seli në Bursa të Turqisë, për blerjen e 10 mijë tonë grurë me çmim prej 4,834,778.00 euro. Aty thuhet se çmimi për blerje të grurit ishte kontraktuar 193.48 euro më i lartë sesa çmimi mesatar i tregut.


