Kryetari i Komunës së Shtimës, Qemajl Aliu, ka bërë të ditur lajmin për ndërtimin e një stadiumi të dytë në qytet.
Ky investim, i cili vlerësohet të jetë mbi 310 mijë euro, do të realizohet nëpërmjet një partneriteti me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK).
Lajmi u bë publik përmes një postimi në Facebook të kryetarit Aliu, ku ai theksoi se projekti është një investim madhor për zhvillimin e sportit dhe gjeneratave të reja.
Duke njoftuar se punimet e ndërtimit do të fillojnë
pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit me FFK-në, Aliu ka bërë të ditur se stadiumi ndihmës do të ndërtohet në vendin ku ndodhej stadiumi historik i Lagjes së Pajtimit.
Ai falënderoi kryetarin e FFK-së, z. Agim Ademi, për gatishmërinë dhe partneritetin në këtë projekt.
Ndërtimi i këtij stadiumi të dytë vjen pasi punimet në stadiumin kryesor modern janë drejt përfundimit, i cili pritet të inaugurohet së shpejti./KosovaNews/


