Prokuroria Themelore e Prishtinës pohon se ka nisur hetimet lidhur me disa lokale afariste në kryeqytet për të cilat ministri i Bujqësisë, Faton Peci para shtatë muajsh ka deklaruar se janë pronë e kësaj ministrie dhe se për vite të tëra vazhdojnë të keqpërdoren.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj ka konfirmuar se tashmë ky institucion ka autorizuar Policinë për nisjen e grumbullimit të informatave lidhur me këto prona.
“Referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë për grumbullimin e informatave dhe provave lidhur me këtë çështje, andaj në bazë të të gjeturave do të veprojë tutje”, ka theksuar për Telegrafin ajo.
Ndryshe, ministri i Bujqësisë, Faton Peci para disa ditësh reagoi për faktin se organi i ndjekjes nuk ka vepruar edhe përkundër faktit se janë bërë 7 muaj që kur ka denoncuar rastet dhe ka paraqitur provat mbi këto lokale.
“Janë bërë më shumë se 7 muaj prej që kemi denoncuar dhe ofruar të gjitha faktet e poseduara se lokale afariste në zemër të Prishtinës, janë pronë e Ministrisë së Bujqësisë. Veprimtari që ushtrohet kundërligjshëm sepse s’ka se si të jetë ndryshe kur edhe kundërligjshëm janë ndërtuar e po në atë mënyrë vazhdojnë të funksionojnë”, kishte deklaruar ministri ditë më parë.
LEXO:
Gjithashtu, ministri Peci ka theksuar paraprakisht se edhe disa vila në Stankaj të Rugovës janë ndërtuar në tokë të shtetit, ndërsa në reagim të bërë së fundi ka shtruar edhe pyetjen se të kujt janë ato villa dhe pse po heshtet.
LEXO edhe:
Para shtatë muajsh ministri Faton Peci në një deklaratë për media tha se të gjeturat janë skandaloze, ndërsa i ka ftuar qysh atëherë prokurorinë dhe inspektoratin të marrin masa për uzurpimet e lokaleve në Prishtinë dhe ndërtimet në pronat e Ministrisë së Bujqësisë nëpër vende të ndryshme të Kosovës.
LEXO:


