Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka publikuar raportin e punës përgjatë vitit 2023 në Klinikën e Onkologjisë ku bëhet e ditur se 2 mijë raste të reja me kancer janë shënuar gjatë vitit, teksa konsiderohet se ka rritje progresive të sëmundjeve malinje.
SHSKUK-ja po ashtu bën të ditur se në këtë klinikë gjatë vitit 2023 janë realizuar 50 mijë vizita, teksa në repartin e kimioterapisë janë përgatitur dhe aplikuar rreth 100 mijë terapi sistemike, tabletare, subkutane dhe intravezikale.
Në repartin e radioterapisë janë ofruar 31 mijë shërbime ku përfshihen trajtimi i pacientëve me radioterapi eksternale, realizimi i planeve të trajtimit me konturim, simulacione dhe pozicionimet e realizuara nga mjekët, fizikantët mjekësorë dhe teknikët e radioterapisë.
Sipas njoftimit në këtë klinikë po ashtu, janë ofruar 2 mijë shërbime të brakiterapisë dhe thuhet se disa prej aplikimeve te brakiterapisë, janë realizuar në bashkëpunim me anesteziologët e Klinikës së Anesteziologjisë.
Në raport, mes tjerash, SHSKUK njofton se Shërbimi i Fizikës Mjekësore ka realizuar rreth 11 mijë shërbime përgjatë vitit 2023. Gjithashtu në klinikë janë realizuar rreth 600 seanca të të trajtimit me fizioterapi dhe 600 shërbime psikologjike nga psikologët klinikë.
Në klinikë kanë qenë të shtrirë, 820 pacientë
Aktualisht, me investim nga Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me SHSKUK-në, thuhet se po zbatohet projekti për rinovim të hapësirave të Klinikës së Onkologjisë.
“Krahas kësaj, klinika këtë vit është furnizuar me aparaturën e dytë të rrezatimit, akseleratorin linear bashkëkohor i cili do të mundësojë dhe trajtimin me metodat më të avancuara të radioterapisë siç është radioterapia stereotaktike”, thuhet në njoftim.