Të paktën 3,478 palestinezë janë vrarë dhe 12 mijë të tjerë janë lënduar në Gazë, që nga kundërpërgjigja e Izraelit që filloi nga e shtuna e 7 tetorit, pas sulmeve të Hamasit ndaj izraelitëve që lanë rreth 1,200 të vdekur.
Numri i palestinezëve të vrarë u rrit në mënyrë drastike pas sulmit të së martës në një spital në Gazë, ku mbetën të vrarë mbi 500 njerëz, duke përfshirë pacientë burra, gra e fëmijë, si dhe pjesë të stafit mjekësor.
Shifrat u bënë të ditura nga ministria palestineze e Shëndetësisë.
Presidenti palestinez anuloi takimin e paraparë për të mërkurën me presidentin amerikan, Joe Biden. Njëjtë veproi edhe Mbreti i Jordanisë.
Shtetet arabe sot kanë bërë thirrje për armëpushim të menjëhershëm. Palët izraelite dhe palestineze kanë fajësuar njëra-tjetrën për sulmet. Biden ka thënë se “duket qartë” se sulmi nuk u krye nga Izraeli.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se vendi i tij do të vazhdojë t’u kërkojë palestinezëve që të largohen nga shtëpitë e tyre.


