Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë të dielën se sindikalistët e PAN-it kanë inat anti-qeveritar dhe atyre u është ndalur sahati më 5 qershor 2017. Kjo e ka shtyrë kreun e SBAShK-ut, Rahman Jasharaj që të reagoj dhe mos të merret më shëndetin, për të cilin të premten nga kolegët e tij u tha se nuk është mirë.
Kurti pasi ka votuar në zgjedhjet e Vetëvendosjes në shkollën “Gjergj Fishta” në Prishtinë, ka folur edhe për grevën e përgjithshme të BSPK-së të shpallur më 25 gusht, e që ka prekur edhe sektorin e arsimit.
I pyetur nga mediet lidhur me grevat në arsim, Kurti tha se pret që mësimi të fillojë sa më parë.
Ai shtoi se Këshilli Grevist ka refuzuar të gjitha ofertat që Qeveria i ka bërë.
“Është për të ardhur keq se si shkollimi në Kosovë po mbahet peng. Për përshtypjen time të fuqishme, në të gjitha takimet që kemi pasur, bëhet fjalë për një lloj inati anti-qeveritar… prej sindikalistëve të PAN-it, të cilëve iu është ndalur sahati më 5 qershor 2017. Aty u ka ngelur sahati sindikalistëve të PAN-it. E tash dëshirojnë që t’ia bëjnë një shërbim PAN-it në opozitë, duke e bërë grevën armë kundër Qeverisë”, shtoi Kurti.
E kjo ka bërë që të reagoj edhe kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, i cili i ka konsideruar “deklarata bajate”, ato çka i tha të dielën kryeministri Albin Kurti.
Jasharaj tha se Kurti po flet pa argumente dhe i bëri thirrje që t’i ftojë në takim.
“Ta them të vërtetën s’është hera e parë që përdorë kësi lloj deklarata. Këto deklarata janë të paargumentuara nga kryeministri. Më mirë do të ishte Kurti të na ftojë në takimin në vend të këtyre deklaratave që tani janë bërë bajate. Le të na ofrojë një lajm të ri kryeministri, pasi në çdo mbrëmje mbajmë takim me Këshillin Grevist, por s’po kemi lajme të reja t’ia kumtojmë anëtarësisë dhe kjo është me fajin e kryeministrit i cili duhet të ulet me sindikalistët dhe të bisedojmë të mundohemi të gjejmë një zgjidhje”, ka thënë për Kohën, Jasharaj.
Ai ka shtuar se nuk e kupton gjuhën me të cilën flet Kurti sa i përket pretendimeve për lidhje të sindikalistëve me parti politike.
“Deri më tani nuk kemi asnjë ftesë, anëtarësia do t’i gëzohej çdo ftese, por jo takime për t’u tallur. Unë nuk e kuptojë pse kryeministri jep kësi lloj deklarata, ai e di që ka mësimdhënës që janë votues të VV-së, PDK-së, edhe LDK-së, AAK-së, e shumë partive të tjera, dhe që të gjithë janë në grevë dhe kësaj greve nuk mund t’i vije fundi me deklarata të pa argumentuara”, ka thënë ai.
Mirëpo kritikat e bërë në opinion publik se SBAShK-u po shpërfaq qëllime politike dhe se kjo është arsyeja që nuk po lëshon pe për të ndalur grevën edhe përkundër faktit se Qeveria ndau nga 50 euro, vetëm sa shtohen kur shihet përbërja e Kryesisë së kësaj sindikate.
KosovaNews ka sjell një sërë shkrimet ku shihet afërsia e drejtuesve të Këshillit Grevist, sidomos me PDK-në.
Për më shumë klikoni në linkun më poshtë dhe shihni:
Ndërkohë mbledhja e Komisionit për Arsim, edhe pardje u shoqërua me përplasje të mëdha mes përfaqësuesve të institucioneve dhe atyre të Bashkimit të Sindikatave. Pas diskutimeve të gjata, në fund, zgjidhje që nxënësit të kthehen në bankat shkollore nuk u gjet.
Por jo vetëm përplasjet brenda mbledhjes ranë në sy. Ajo që u vërejt ishte mungesa e Rraman Jasharajt.
E më shumë se mungesa, interesante është arsyeje pse Rrahman Jasharaj nuk ishte në mbledhje ditën e premte ku u diskua për grevën. Kjo për faktin se për këtë janë dhënë çuditërisht dy versione.
Për mungesën e Jasharajt në mbledhje, janë dhënë dy versione dhe atë nga vetë drejtuesit e SBAShK-ut.
Në kundërthënie e me deklarata të ndryshme kanë dalë nënkryetarja Vjollca Shala dhe sekretari Ymer Ymeri.
Nënkryetarja e Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Vjollca Shala, pas mbledhjes së Komisionit për Arsim, ku debatuan për gati tri orë me përfaqësues të Qeverisë, ka thënë se kryetari Rrahman Jasharaj nuk ishte prezent për shkak të angazhimeve të tjera.
Por krejt diçka tjetër thotë sekretari i SBAShK-ut, Ymer Ymeri.
Ai ka thënë se Jasharaj ka munguar për shkak të gjendjes shëndetësore.
“Nuk është diçka serioze, për shkak angazhimeve intensive ka pësuar lodhje, ai ka qenë duke përdorë terapi, thjeshtë është ftohur pak. I kemi sugjeru me pushu disa ditë”, ka thënë për gazetën Insajderi, Ymer Ymeri.


