Në Verrat e Llukës u shënua sot 35-vjetori i Kuvendit historik të pajtimit të gjaqeve, ngjarje e cila më 1 maj 1990 mblodhi mijëra qytetarë për të falur gjaqet dhe për të forcuar unitetin kombëtar.
Në këtë 35-vjetor të Kuvendit në Verrat e Llukës, u theksua roli dhe rëndësia e madhe që pati ky kuvend për çështjen kombëtare. Nën udhëheqjen e profesor Anton Çettës, atëherë u falën mbi njëqind gjaqe, duke u shndërruar në një akt të fuqishëm të pajtimit dhe rezistencës.
Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, tha se është e vështirë përshkruhen emocionet e asaj dite, duke e konsideruar si ngjarjen më të madhe historike të kohës.
“Ka qenë diçka e jashtëzakonshme që ne për nga mosha nuk është, s’e kemi zotësi të përshkruajmë emocionin për atë ditë tepër të veçantë që konsiderohet ngjarja më e madhe historike në vendin tonë për lëvizjen e kohës, dhe po ashtu më lejoni t’i falënderoj familjet, të cilat kanë qenë protagoniste të kësaj dite, sepse është shumë e rëndësishme, e cila ka kulmuar me bashkimin e popullit tonë për nevojat e lëvizjes kombëtare e deri te lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Ramosaj.
Njëra prej protagonistëve të kësaj ngjarjeje të madhe, Havë Shala, theksoi se lindja e idesë së pajtimit të gjaqeve nuk ishte e rastësishme, pasi në atë kohë çdo e drejtë e popullit shqiptar në Kosovë mohohej, madje edhe ekzistenca e popullit ishte në rrezik.
“Është nder për mua që gjendem në mesin tuaj, është kënaqësi të jem në rolin e evokueses së tubimit të Verrat e Llukës më 1 maj 1990. Tubimi tregon një moto atëherë dhe një simbol më vonë të pajtimit të gjaqeve. Lindja e idesë së pajtimit të gjaqeve nuk ishte një rastësi, ne jetonim në një kohë ku çdo e drejt e jona cenohej, rrezikohej edhe ekzistenca jonë si popull, ku regjimi serb mohonte historinë tonë, pengonte të tashmen tonë dhe ndalonte të ardhmen tonë. Në këtë kohë filluan protestat e jashtëzakonshme madhështore si për nga pjesëmarrja, ashtu edhe për nga guximi. Njerëzit nuk e kishin frikë vdekjen. Ata nuk i frikësuan as vrasjet dhe plagosjet e shumta të fund janarit 1990. Regjimi (serb) filloi t’i ketë frikë këtij populli të pa frikësuar”, tha Shala.
Ish-pjesëtari dhe ish-nënkryetari i OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka evokuar kujtime nga koha e pajtimit të gjaqeve.
“Filloi aksioni duhet të pranuar, disa ishim më me guxim, disa hezitonin, disa na luftonin, ata qe na luftonin për të qenë i qartë ishin serbët dhe titistët jugosllavë. Deçani është treva më e sulmuar në aspektin patriotik. Ju e dini, zonat e kufirit gjithmonë kanë pasur fatkeqësisht dy sende, mesatare nuk ka pasur, ka pasur ose të fortë ose të ligë. Një pjesë përpos që ishin të burgosur politikë, ishim edhe të përndjekur, kishim fletarrestime në atë kohë”, ka thënë Haradinaj.
35 vjet më parë në Verrat e Llukës morën pjesë rreth gjysmë milion shqiptarë, me ç’rast u falën mbi 100 gjaqe dhe ngatërresa. Aksioni për pajtimin e familjeve shqiptare në hasmëri kishte nisur nga disa studentë të rajonit të Dukagjinit, ish-të burgosur politikë, më 2 shkurt 1990 në Lumëbardhë të Deçanit.
amerikaneKy aksion u shndërrua në një lëvizje për pajtimin e gjaqeve dhe falë punës së madhe të veprimtarëve në krye me Anton Çettën kjo lëvizje gjithëpopullore arriti të pajtojë mbi një mijë gjaqe e ngatërresa ndër-shqiptare.
