Disa qytëtarë të vendit ditëve të fundit për shkak të konsumimit të ushqimit të kontaminuar kanë përfunduar në spital dhe falë përkujdesjes së ekipit të mjekëve ata janë jashtë rrezikut për jetë.
Për këtë shkak, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka kërkuar nga qytetarët që të kenë kujdes me ushqimin, gjatë këtyre ditëve të nxehta.
“Ju lutemi për kujdes të shtuar! Kujdes gjatë gatimit, Ruajtjes dhe shpërndarjes së ushqimit! Qytetarë të pafajshëm për shkak të konsumimit të ushqimit të kontaminuar kanë përfunduar në spital të cilët falë përkujdesjes së ekipit të mjekëve janë jashtë rrezikut për jetë”, thuhet në thirrjen e IKShPK-së.
Instituti Kombëtar tutje kërkon nga popullata që të kenë kujdes të shtuar kur konsumojnë, duke shmangur konsumin e mishit të papërpunuar termikisht.
“Shmangia e konsumimit të ushqimit që përmban vezë të freskëta, si majoneza, soset e ndryshme, etj. Konsumimi i qumështit të pasterizuar ose të zier. Shmangia e konsumimit të djathit të freskët nga qumështi jo i pasterizuar ose zier. Frutat dhe perimet të lahen me ujë të bollshëm. Nuk preferohet konsumimi i ushqimit që ka qëndruar jashtë frigoriferit për më shumë se 2 orë”, thuhet nga IKShPK.
Mes tjerash Instituti thekson se ushqimi i ngrirë, i cili është shkrirë duhet të konsumohet sa më shpejt ose të hidhet dhe assesi nuk duhet të ringrihet.
IKShPK rekomandon që duart duhet të lahen dhe thahen, sidomos: para se të filloni të përgatisni ushqimin, pasi të prekni mishin e freskët, peshkun, vezët ose perimet, pas përdorimit të tualetit, pasi të pastroni hundën, pasi të prekni një kafshë, si dhe pasi të prekni ndonjë plagë apo prerje në trup./KosovaNews/