Edhe në rigjykim, Shaban Gogaj është dënuar me 7 vjet burgim për vrasjen nga pakujdesia të Agonis Tetajt, në shtator të 2018-ës. Herën e parë ishte dënuar me 7 vjet e 6 muaj burgim.
Aktgjykimi është shpallur të premten në Gjykatën Themelore në Pejë nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova.
Për vrasje nga pakujdesia, Gogaj është dënuar me 5 vjet burgim, ndërsa për armëmbajtje pa leje me 3 vjet. Gjykata ka shqiptuar dënimin unik prej 7 vjetësh burgim ndaj të akuzuarit Gogaj, duke e llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim prej 23 shtatorit 2018.
Kjo është hera e dytë që Shaban Gogaj dënohet me burgim, pasi është gjetur fajtor për “vrasje nga pakujdesia” që kishte ndodhur në lokalin e familjes Gogaj.
Në seancën e fundit, bashkëshortja e të ndjerit Tetaj, Albesa Cacaj, ka hequr dorë nga kërkesa pasurore-juridike, duke kërkuar që të vendoset drejtësia e të mbyllet çështja penale, raporton Betimi për Drejtësi.
Në seancën e 31 janarit, i akuzuari Gogaj kishte thënë se asgjë s’kishte ndodhur me dëshirën e tij dhe se do të jepte gjithë jetën që të ishte i gjallë Agonis Tetaj.
Më 14 tetor 2022, Gjykata Themelore në Pejë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj, duke e dënuar me 7 vjet e 6 muaj burgim për vrasje nga pakujdesia të Agonis Tetajt.
Gjykata e Apelit, më 23 mars 2023, kishte shqyrtuar ankesat e mbrojtësit të Gogajt, avokatit Besnik Berisha, palës së dëmtuar, avokatit Berat Tmava dhe ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan. Kurse, pas shqyrtimit të ankesave, Apeli më 23 mars 2023 e ka kthyer lëndën në rigjykim.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 12 qershor 2019, Shaban Gogaj akuzohet se më 23 shtator 2018, rreth orës 11:04 në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, përkatësisht në kompaninë “Gogaj AG”, me dashje e privon nga jeta Agonis Tetajn dhe me këtë ka vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve A.H dhe F.Z. Në këtë rast, për armëmbajtje pa leje akuzohet edhe Isuf Cacaj, ku sipas aktakuzës, në dyqanin “Gogaj AG”, ka mbajt në pronësi armën, e gjetur nga policia në sirtarët nën banakun e arkës.


