Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka krijuar një sistem të padrejtë zgjedhor që e favorizon atë, thotë Daniel Serwer, profesor në Universitetin amerikan Johns Hopkins.
Të dhënat paraprake të zgjedhjeve të 17 dhjetorit tregojnë se Partia Përparimtare Serbe, e udhëhequr deri vonë nga Vuçiq, ka fituar shumicën.
Lista opozitare “Serbia kundër dhunës” ka kërkuar, ndërkohë, anulimin e zgjedhjeve në Beograd, duke pretenduar se ka pasur parregullsi.
Duke komentuar fitoren e Vuçiqit në raport me Kosovën, Serwer thotë se rezultati “nuk është një shenjë e mirë” për marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Nuk shoh asnjë shenjë se Vuçiqi është gati për një ndryshim serioz sa u përket marrëdhënieve me Kosovën. Përkundrazi, ai është nisur në drejtim të kundërt. Ai sërish bën thirrje për vendosjen e sovranitetit të Serbisë. Ai e kundërshton rëndësinë e marrëveshjeve të marsit dhe shkurtit [Marrëveshjes së Ohrit dhe Aneksit për zbatimin e saj], të cilat SHBA-ja dhe BE-ja thonë se janë ligjërisht të detyrueshme”, thotë Serwer për REL-in.
Ai më tej ka thënë se si jo rrallë herë, edhe në këto zgjedhje në Serbi ka pasur abuzime.
“Të jem i qartë, këto nuk janë zgjedhjet e para të lira, por të padrejta në Serbi. Ato janë zhvilluar nën kontroll të ashpër mediatik nga partia në pushtet, duke shfrytëzuar burime shtetërore, duke transportuar njerëz – të cilët shpresoj se kanë pasur të drejtë vote – me autobusë nga Bosnje dhe Hercegovina. Kjo nuk është mënyra se si bëhen zgjedhjet e drejta. Ka shumë abuzime që tashmë janë dokumentuar dhe pres edhe më shumë. Por, unë nuk njoh dikë në Uashington sot që do ta quante Serbinë demokraci”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se nuk pret presione nga Brukseli ndaj Serbisë.
“Nuk pres shumë nga Brukseli, sepse Serbia dhe Hungaria – e cila është në BE dhe me udhëheqësin e së cilës [Viktor] Orban, Vuçiq është miqësuar – kanë një të përbashkët: udhëhiqen nga autokratë. Nuk pres që BE-ja do të arrijë një konsensus për ndonjë gjë që do të mund të ishte presion mbi Serbinë. Shpresoj që Shtetet e Bashkuara të jenë ndryshe. Nëse u kthehemi ngjarjeve të 24 shtatorit – rebelimit në veri të Kosovës që me sa duket është orkestruar nga Beogradi – do të prisja që Shtetet e Bashkuara të reagonin për këtë. Megjithatë, deri më tash, nuk e kanë bërë dhe nuk jam i sigurt se do ta bëjnë. Ato nuk shohin alternativë për Vuçiqin”, është shprehur Serwer.
Profesori amerikan më tej ka thënë se të gjithë kanë frikë se Vuçiqi do të bjerë në krahët e presidentit kinez, Xi Jinping, dhe të presidentit rus Vladimir Putin, por sipas tij, ai tashmë është në krahët e tyre. /REL


