Çështja e projektit për gazin amerikan në Kosovë duhet të trajtohet me kujdes, duke u bazuar në interesat strategjike të vendit. Ky është këndvështrimi i profesorit amerikan Daniel Serwer.
Ai në intervistë për KosovaPress, duke e komentuar qëndrimin e Qeverisë së Kosovës që ende nuk e ka pranuar projektin, tha se gazi amerikan është i kushtueshëm dhe se e kupton interesimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për një marrëveshje të tillë, por theksoi se vendimmarrja duhet të jetë e Kosovës.
“Gazi amerikan është shumë i shtrenjtë. E kuptoj pse amerikanët duan që Kosova ta marrë atë. Do të ndihmonte në plotësimin e pamjes në Ballkan. Dhe kjo administratë, kjo administratë amerikane, është një administratë transaksionale. Ajo dëshiron të bëjë marrëveshje. Kështu që mendoj se Kosova duhet të flasë me amerikanët, por gjithashtu mendoj se Kosova duhet të marrë në konsideratë interesat e veta dhe të marrë një vendim mbi këtë bazë”, tha ai.
Ndërsa, në lidhje me deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka mbrojtur Milan Radoiçiqin, Serwer tha se beson në sistemin gjyqësor për trajtimin e rastit dhe se komentet e Vuçiqit janë të motivuara politikisht.
“Kam besim të plotë në sistemin gjyqësor këtu për t’u marrë me këtë çështje. Mendoj se zoti Vuçiq po thotë gjëra për përfitimin e tij politik, në vend që të bëjë atë që duhet të bëjë, që është të heqë dorë nga incidenti i Banjskës dhe ta ndjekë penalisht vetë. Sistemi gjyqësor serb duhet t’i ndjekë penalisht autorët”, tha ai.
Duke u ndalur te kriza institucionale në Kosovë, Serwer vlerësoi se vendi ka humbur kohë të vlefshme për shkak të paqëndrueshmërisë politike dhe proceseve të zgjatura zgjedhore.
“Të gjithë janë të ngopur me krizën. Të gjithë mendojnë se kanë humbur diçka nga ky vit, një vit e gjysmë nga tre palë zgjedhje. Dhe mendoj se kjo është e vërtetë. Mendoj se nuk ka qenë një kohë produktive. Kjo ndodh veçanërisht në sistemet parlamentare. Sinqerisht, Shtetet e Bashkuara kanë pasur një kohë të vështirë edhe për një vit e gjysmë të fundit. Por është koha, e dini, që institucionet tona të jenë pak më të konsoliduara se institucionet e Kosovës.”, tha ai.
Serwer njëkohësisht dha mesazhin se është koha që institucionet e Kosovës të demonstrojnë se mund të përformojnë duke zgjedhur një president dhe duke formuar një qeveri të re. /KP/



