Serbia është vënë sërish kundër politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, aty ku synon të anëtarësohet.
Pas refuzimit që t’i vë sanksione Rusisë për agresionin ndaj Ukrainës, gjë që e kanë bërë thuajse të gjitha shtetet evropiane, Serbia ka refuzuar t’i bashkohet BE-së edhe për masat e reja kufizuese kundër Iranit, shkruan B92 të mërkurën.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, njoftoi të mërkurën se vendet kandidate: Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Shqipëria, Ukraina dhe Moldavia, vendet e EFTA-s Islanda, Lihtenshtajni e Norvegjia dhe anëtarët e hapësirës ekonomike evropiane u janë bashkuar vendimit të miratuar nga BE-ja, i marrë më 27 qershor.
Serbia është vend kandidat për anëtarësim në BE dhe ka vite që ka nisur negociatat.
Sipas vendimit të BE-së, këto vende do të sigurojnë që politikat e tyre kombëtare të jenë në përputhje me vendimin e Këshillit Evropian dhe BE-ja e merr parasysh këtë angazhim dhe e mirëpret atë, thuhet në deklaratë.
Irani gjithnjë e më shumë po izolohet për shkak të vazhdimit të programit bërthamor.
Serbia është kritikuar shumë për mosvënie të sanksioneve ndaj Rusisë./koha.net/