Ja sa kohë mund të qëndrojë një foshnjë në ulësen e makinës dhe çfarë duhet të dini para se të niseni për udhëtim
Është verë dhe, si shumë të tjerë, ndoshta edhe ju do të udhëtoni diku. Nuk ka rëndësi nëse është deti, mali apo vizita tek familja në një cep tjetër të vendit. E dini që është e rëndësishme të planifikoni çdo udhëtim, e sidomos kur me ju në makinë është një foshnjë e vogël. Dhe sigurisht që pyesni veten, sidomos nëse kjo është fëmija juaj i parë: sa kohë mund të kalojë një foshnjë në ulësen e makinës?
Ajo që do të lexoni mund t’ju duket paksa tepër rigoroze, por duhet pasur parasysh se statistikat ndonjëherë nuk janë shumë të favorshme, dhe ky kufizim është rezultat i studimeve të shumta dhe analizave të hollësishme.
Pra, një foshnjë deri në moshën gjashtë muajsh duhet të qëndrojë në ulësen e makinës maksimumi dy orë brenda 24 orëve. Kjo sepse foshnjat e vogla gjatë muajve të parë të jetës nuk janë në gjendje ta mbajnë trupin në pozicion të drejtë dhe pozicioni në ulësen e makinës nuk është natyral për to, transmeton Telegrafi.
Përveç kësaj, foshnja ndikohet edhe nga lëvizja e makinës dhe dridhjet që ndihen gjatë vozitjes. Kur testet e sigurisë së foshnjave në ulësen e makinës i kanë marrë parasysh këta faktorë, është arritur në përfundimin se tek një foshnjë e vendosur në ulëse me kënd 40 gradë rriten ndjeshëm rrahjet e zemrës dhe ritmi i frymëmarrjes, ndërsa ulet saturimi me oksigjen.
Natyrisht, kjo nuk do të thotë që duhet të hiqni dorë nga përdorimi i ulëses së makinës! Jo, por duhet të keni kujdes sa kohë kalon foshnja në të. E njëjta gjë vlen edhe për karrocën nëse foshnja qëndron në të njëjtin pozicion gjysmë të drejtë, por nuk vlen për ulësen ku foshnja shtrihet.

Si të siguroni foshnjën në ulësen e makinës
▪ Kujdesuni që foshnja të mos qëndrojë në të njëjtin pozicion gjysmë të drejtë më shumë se dy orë.
▪ Mos e përdorni ulësen e makinës si zëvendësim krevatit, pra si vend për gjumë (por kjo nuk do të thotë që foshnja nuk mund të flejë në ulëse gjatë vozitjes! Vetëm se kjo të mos zgjasë më shumë se dy orë).
▪ Nëse udhëtoni në destinacione të largëta, ndaloni herë pas here dhe nxirreni foshnjën për pak kohë nga ulësja.
▪ Nëse e dini që foshnja do të qëndrojë më gjatë në karrocë, është më mirë të përdorni ulësen sesa pjesën që shërben edhe si ulëse.