Shkruan: Gani Bajrami
Duke ndjekur mediat tona në hapësirën shqiptare dhe rrjetet sociale, jo vetëm këto dy-tre ditë, nuk ke se si të mos lutesh: Runa Zot nga “dija e madhe” dhe inati!!! Secili nga ne di ta mësoj e këshilloj presidenten, kryeministrin, kryeparlamantarin e ministrat e caktuar se çka e si duhet vepruar. Nuk po përmend këtu ata që dinë të shajnë e ofendojnë, me shprehjet më bizare, kupolën e shtetit të vet për inate të ndryshme, sepse kjo është temë tjetër, në radhë të parë mungesë e kulturës elementare familjare, rënie nën ndikim të atyre që i yshtin për veprime të këtilla, ose perceptim se shteti është si një lopë që duhet ta mjelësh deri në pikën e fundit të qumështit.
Që nga fëmijëria e kam mësuar se kur njeriu ofendon dhe sulmon të vetin, i huaji (lexo: armiku) vetëm duartrokit.
Duke ndjekur mediat tona, fatkeqësisht edhe ato që e quajnë veten kombëtare, rreth situatës së krijuar në veriun e Kosovës, me raportet e tyre e sidomos me dhënien e mundësisë kujdoqoftë për prononcime, sa nuk më shkoi mendja se po të kishte mundësi Serbia të hynte në Kosovë me trupat e veta siç hyri NATO më 1999, mund të pritej nga një pjesë e madhe e shqiptarëve me duartrokitje vetëm për inat të presidentes Vjosa Osmani dhe të kryeministrit Albin Kurti. Dhe këta inatqorë mendojnë se kështu mbahet shteti. A ka rëndësi në situata të tilla kush është në krye të shtetit dhe a është normale që shqiptarët me veprimet e veta të rreshtohen andej kah mund të shpijnë ujë në mulli të armikut?!
E, po ku jemi ne si komb?! Të shfrytëzosh situatat e këtilla, siç ishte rasti me serbët e rebeluar që të instrumentalizuar nga Serbia në veri të Kosovës, po cenonin jo vetëm sovranitetin e vendit, por edhe sigurinë e forcave tona policore, për të sulmuar udhëheqjen më të lartë shtetërore, si kundërshtarë politik, sipas meje, nuk ka ku shkon më mjerim.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e thotë haptas se nuk do të ketë dialog me Kosovën për sa kohë që kryeministër është Albin Kurti dhe cilat janë reagimet ndër ne. Disa thërrasin menjëherë për dorëheqje të Kurtit, disa paralajmërojnë rënie të qeverisë së tij në vjeshtë, e një pjesë e akuzojnë për tradhti kombëtare, duke theksuar se nuk ishte koha për reciprocitet, se hyri në mal pa sakicë, se po bën eksperimente të rrezikshme për populizmin e vet, e çka jo tjetër. Në vend që reagimet tona si komb dhe si subjekte politike të drejtohen kundër Serbisë dhe zyrtarëve të saj që haptas provokonin luftën me Kosovën duke i nxitur strukturat ilegale në veri për veprime antikushtetuese dhe kriminale në dëm të sovranitetit të Kosovës, ne i vërsulemi me kritika Qeverisë e kryeministrit tonë pse po do të aplikoj reciprocitet për diçka që ish-udhëheqjet nuk e bënë për një dekadë të plotë.
Sa shpirtngushtë e sa të ligj paskemi qenë! Po e marr vesh tash në fund të dekadës së shtatë të jetës.
A nuk është turp për ne që aktivistë çekë para Ambasadës së Serbisë në Pragë të protestojnë me pankarta “Kosova nuk është Serbi”, duke e mbështetur Kosovën pas tensioneve të nxitura nga Serbia në veri, e ne të fajësojmë njëri-tjetrin dhe kreun e shtetit tonë, në vend që të protestohet edhe para zyrës së BE-së në Prishtinë dhe disa ambasadave që po e tolerojnë agresionin e Serbisë në Kosovë.
Nuk mund të mos e them edhe një fakt. Sa naiv tingëllon konstatimi i disa gjithologëve që e kanë banalizuar skajshmërisht debatin në studio televizive dhe i kopesë që u shkon pas pastaj në rrjetet sociale, se kryeministri (Qeveria e Presidenca)nuk është konsultuar paraprakisht me faktorin ndërkombëtar, sidomos me SHBA.
Athua vërtetë këta gjithologët mendojnë se Albin Kurti dhe cilido qoftë në pozitën e tij duhet të marrë daullen për t’ua komunikuar kodoshëve bisedat që bëhen në kanalet diplomatike?! Ndonëse tërë stazhin e punës deri në pensionim e kam pasur në gazetari dhe jam ballafaquar me situata të ndryshme nuk më ka shkuar asnjëherë mendja se mund ta pres këtë mjerim mediatik me këta gjithologë që e quajnë veten gazetarë e analistë.