Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka reaguar pas raportimeve në media lidhur me një tender të Trainkos, ku për rehabilitimin e vagonëve është përfshirë një nënkontraktor nga Serbia.
Përmes një postimi në Facebook, Rizvanolli tha se e ndan shqetësimin e qytetarëve për rastet kur në tenderët publikë përfitojnë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, kompani nga Serbia.
Ajo bëri të ditur se Trainkos ka zhvilluar një tender të hapur për rehabilitimin e vagonëve, ku ka aplikuar vetëm një kompani kosovare me seli në Prishtinë, e cila edhe e ka fituar tenderin.
Sipas Rizvanollit, përzgjedhjen e nënkontraktorit në Serbi nuk e ka bërë Trainkos.
“Operaratori privat fitues i tenderit ka deklaruar se vetëm nënkontraktori i përzgjedhur mund t’i riparonte vagonët”, ka shkruar ajo.
Ministrja ka theksuar se, sipas Ligjit aktual të Prokurimit Publik, ndërmarrja publike nuk mund të ndërhyjë në përzgjedhjen e nënkontraktorëve.
Megjithatë, ajo ka bërë të ditur se Trainkos do të kryejë një vlerësim të pavarur për të parë nëse vagonët mund të riparohen në ndonjë shtet tjetër.
“Në rast që kjo është e mundur, do të ndërmarrë hapat për ta adresuar këtë shqetësim”, ka deklaruar Rizvanolli.
Ajo gjithashtu tha se Ministria po sigurohet që ndërmarrjet publike t’i adresojnë sfidat e tilla tek ministria sponsorizuese e Ligjit të Prokurimit Publik, në kuadër të rishikimit të planifikuar të këtij ligji.
Në fund të reagimit, Rizvanolli u bëri thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga, siç u shpreh ajo, “informimi tendencioz, i pjesshëm ose i pasaktë”, duke iu referuar edhe atyre që, sipas saj, shprehin “hipokrizinë e tyre”.

