Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka reaguar pas debatit të fundit dhe sidomos nga eksponent të LDK-së rreth liberalizimit të tregut të energjisë elektrike dhe ngritjes së çmimit të rrymës, duke publikuar një vendim të vitit 2015 që, sipas saj, hedh dritë mbi bazën ligjore të këtij procesi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rizvanolli ka bërë të ditur se ligji që parasheh liberalizimin e tregut të energjisë është miratuar në kohën kur Isa Mustafa ishte kryeministër i Kosovës, përkatësisht nga Qeveria Mustafa në vitin 2015.
“Ligji që parasheh liberalizimin e tregut, zbatimi i të cilit po kundërshtohet sot, është miratuar nga Qeveria Mustafa para gati 10 vitesh”, ka shkruar Rizvanolli.
Ky reagim i ministres vjen rreth dy muaj pas njoftimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), e cila u bëri thirrje bizneseve që të gjejnë vetë furnizuesin e tyre të energjisë në tregun e hapur.