Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka reaguar pas vdekjes tragjike të punëtorit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Arbenit Ahmeti.
Rizvanolli ka shprehur ngushëllime për familjen Ahmeti, të afërmit dhe kolegët e punëtorit.
Ajo ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Bordi dhe menaxhmenti i KEK-ut që urgjentisht të zhvillojnë një hetim administrativ për rastin dhe të sigurohet llogaridhënie e plotë nëse konstatohet neglizhencë në punë apo shkelje e protokolleve të shëndetit dhe sigurisë.
“Përderisa presim që organet kompetente të hetojnë këtë rast, nga Bordi dhe menaxhmenti i KEK-ut kam kërkuar që urgjentisht të sigurojnë hetim administrativ të rastit dhe llogaridhënie të plotë në rast se konstatohet neglizhencë në punë apo shkelje të protokolleve të shëndetit dhe sigurisë”, ka shkruar Rizvanolli.
Ministrja tha se nga KEK-u ka kërkuar gjithashtu veprime emergjente për rivlerësimin e masave të sigurisë së punëtorëve dhe zbatimin rigoroz të tyre.
“Me dhimbje të thellë mora lajmin për vdekjen tragjike të punëtorit të KEK-ut, Arbenit Ahmeti. Familjes Ahmeti, të afërmve dhe kolegëve të tij u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta”, ka deklaruar ajo.

