Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka njoftuar se situata në Kosovë pas reshjeve të fundit paraqitet kryesisht e qetë, megjithëse në disa zona janë evidentuar vërshime të tokave bujqësore dhe depërtime të ujërave në shtëpi, kryesisht në podrume.
“Që nga fillimi i reshjeve, Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit kanë kryer 76 intervenime në qytete dhe komuna të ndryshme, përfshirë Prishtinën, Fushë-Kosovën, Ferizajin, Gjilanin, Vitinë, Kllokotin, Podujevën, Mitrovicën, Lipjanin, Kamenicën, Novo Bërndin, Junikun, Ranillugin dhe Shtimen”, thuhet në njoftim.
AME shton se për shkak të situatës, janë evakuuar gjithsej 6 familje në komunat Fushë Kosovë, Ferizaj dhe Gjilan.
“Pas vlerësimit të gjendjes në terren dhe rënies së intensitetit të reshjeve, situata konsiderohet e qetë dhe nën kontroll”, thuhet tutje në njoftim.
Agjencia e Menaxhimit Emergjent thekson se mbetet në koordinim të vazhdueshëm me qendrat operative rajonale 112 dhe autoritetet lokale dhe qendrore për t’u përgjigjur çdo nevoje dhe kërkese emergjente.


