Komisioni Ad-Hoc për Reformën Zgjedhore në Kosovë, sot do të mbajë një punëtori në të cilën do të marrin pjesë zyrtarë nga KQZ-ja, OSBE-ja, përfaqësues nga ambasadat e huaja etj. Kjo punëtori është mbështetur nga Misioni i OSBE-së në Kosovë.
Në këtë mbledhje do të prezantohen dhe diskutimet e rekomandimeve të KQZ-së në Komisionin Ad Hoc të Kuvendit.
Duhet theksuar se bërë një dekadë prej kur në Kosovë është iniciuar reforma zgjedhore.
Kjo reformë do të përmirësonte procesin zgjedhor, duke filluar me certifikimin e kandidatëve, listën e votuesve, votimin e diasporës, afatet kohore, financimin e partive politike, etj.
Kosova ka mbajtur një sërë procesesh zgjedhore pa përmbyllur reformën zgjedhore, e cila ishte iniciuar qysh në vitin 2011.
Mekanizmat ndërkombëtarë si Komisioni Evropian, në raportet vjetore për Kosovën kanë ngritur shqetësim për ngecjen në reformën zgjedhore.
Ndërkohë, një kërkesë të vazhdueshme për reformë zgjedhore në Kosovë kanë pasur edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.
E me ardhjen e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, reforma ka nisur të shtrohet e diskutohet në institucionet përkatëse. Vetëvendosje e ka pasur edhe premtim elektoral se do të shtyjë përpara reformën, sidomos për faktin se do të rregullohet çështja e votimit të diasporës, që deri më tani është përcjell me shumë vështirësi./KosovaNews/


