Skuadra spanjolle Real Betis është në bisedime me Interin për mesfushorin shqiptar Kristjan Asllani, por burime nga Italia raportojnë se zikaltrit e vlerësojnë lojtarin me rreth 20 milionë euro.
Sipas mediumit spanjoll ABC, Betis është në bisedime të avancuara për të nënshkruar me Asllanin, duke ofruar nga gjashtë deri në tetë milionë euro për kartonin e tij.
Megjithatë, Calciomercato.com shkruan se dy klubet janë ende larg një marrëveshjeje, pasi Inter kërkon minimumi 18 deri në 20 milionë euro për kartonin e mesfushorit 23-vjeçar.
Asllani ka përfunduar sezonin e dytë në ‘Giuseppe Meazza’, por nuk ka arritur të sigurojë një vend titullari në formacionin e Interit.
Real Betis mund të përpiqet të afrohet me kërkesat e Interit duke përfshirë një përqindje nga shitja e ardhshme të lojtarit si pjesë e marrëveshjes.
Sipas Calciomercato, bisedimet nuk janë ende në një fazë të avancuar, por interesimi i Betisit është i vërtetë.