Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese ka konstatuar se nuk ka pasur asnjë shkelje të Kushtetutës së Kosovës dhe as të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në procesin penal ndaj ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.
Në një aktvendim të publikuar të enjten, Gjykata ka hedhur poshtë pretendimet e Mustafës lidhur me shkeljet e pretenduara gjatë procedurës gjyqësore ndaj tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
“Z. Mustafa kishte paraqitur pretendime për shkelje të të drejtave dhe lirive të tij në lidhje me procesin penal kundër tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës. Në aktvendim, Dhoma e Gjykatës Kushtetuese i shpalli të papranueshme një numër ankesash të tij, kurse të tjera i rrëzoi”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Mustafa kishte pretenduar se ishte shkelur e drejta e tij për një gjykim të drejtë për shkak të mungesës së arsyetimit nga ana e Trupit Gjykues dhe Panelit të Apelit në aktgjykimin e tij për vrasje të paligjshme.
Por Dhoma Kushtetuese nuk gjeti asnjë gabim faktik apo ligjor që do të vënte në dyshim konstatimet e dhomave penale.
Për një tjetër pretendim, se Paneli i Gjykatës Supreme nuk kishte zbatuar ligjin më të butë për dënimin e tij, Gjykata theksoi se Dhomat e Specializuara funksionojnë në përputhje me kornizën e tyre të veçantë ligjore, dhe se Ligji për Dhomat e Specializuara është i vetmi ligj detyrues për trupat gjykuese në këtë juridiksion.
“Nuk u konstatua asnjë shkelje e Kushtetutës së Kosovës apo e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore në këtë rast”, thuhet në vendim.
Gjithashtu, Mustafa kishte kundërshtuar edhe lejimin që Mbrojtësi i Viktimave t’i përgjigjej kërkesës së tij për mbrojtje të ligjshmërisë.
Por Dhoma Kushtetuese e shpalli të papranueshme këtë ankesë, duke theksuar se ai nuk e kishte ngritur këtë çështje më herët në shkallët përkatëse të gjykimit.