Një person është gjetur pa shenja jete në fshatin Llaushë të Skenderajt, ndërsa rasti po hetohet nga autoritetet kompetente.
Rastin për lajmi.net e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, i cili ka bërë të ditur se rreth orës 10:00, policia ka pranuar informatën nga familjarët për një person të pajetë.
Sipas tij, menjëherë pas pranimit të informacionit, njësitet përkatëse policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore. Viktima është mashkull, rreth 39 vjeç.
Me urdhër të prokurorit kompetent, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, me qëllim të përcaktimit të saktë të shkakut të vdekjes.
Rasti është iniciuar si “hetim i vdekjes”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Ky rast vjen pasi më herët edhe Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka konfirmuar për lajmi.net se trupi i pajetë është dërguar për autopsi dhe se autoritetet janë duke ndërmarrë veprime hetimore.



