Në shtatorin e këtij viti Qeveria e Republikës së Kosovës shpalosi pakon e re ekonomike prej 150 milion euro që do t’ju vijë në ndihmë qytetarëve në përballje me inflacionin dhe çmimet e larta të energjisë. Kryeministri Kurti tha se në këtë masë përfshihet edhe subvencionimi i faturave të energjisë elektrike për qytetarët që kursejnë rrymën ku nga kjo masë do të mund të përfitonin deri në 300 mijë familje.
Qeveria e Kosovës ka inkurajuar qytetarët që të kursejnë energjinë elektrike në mënyrë që të përfitojnë deri në dyfish subvencionimin e faturës së energjisë nëse ata harxhojnë më pak energji në krahasim me muajin e vitit të kaluar.
“Do t’i subvencionojmë ata që kursejnë energjinë elektrike. Për aq sa kursehet në raport me të njëjtin muaj të vitit paraprak ne do të subvencionojmë dyfish faturën”, pati thënë Ministri i Financave Hekuran Murati gjatë shpalosjes së kësaj pako, e, si duket kjo ndihmë e qeverisë tashmë po afekton direkt konsumatorët e energjisë eletrike dhe ekonomitë familjare.
Shumë qytetarë nëpër statuse dhe komente në rrjete sociale kanë publikuar faturat e energjisë ku kanë thënë se fatura mujore u ka ardhur dukshëm më lirë se sa muaji i njëjt i vitit të kaluar.

‘’Shkon për të paguar faturën e Energjisë Elektrike personeli thotë: e keni të subvencionuar 50% nga qeveria nga kursimi i saj’’ shkruan një qytar në facebook.
Ndërsa Ministri i Financave Hekuran Murati në një status në facebok ka shkruar se nga subvencionimi i qeverisë kanë përfituar më shumë se 200 mijë familje
“202,252 familje tashmë kanë pranuar edhe për muajin tetor subvencionin për kursim të energjisë elektrike”
Të shumta ishin reagimet e qytetarëve të cilët e konfirmuan mbështetjen e qeverisë me faturat e tyre të cilët i publikuan në komentet e tyre.




