Qeveria e Kosovës ka urdhëruar Agjencinë Kadastrale që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që t’ia njohë Manastirit të Deçanit të drejtën në pronë në 24 hektarë. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se këtë vendim e ka marrë për ta hequr si kusht për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës.
Në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, ai ka thënë se Qeveria e Kosovës ka qenë para dy opsioneve: Të plotësojë këtë kusht dhe që Kosova të pranohet në Këshill të Evropës apo të ngelë pa u anëtarësuar. Sipas tij, vendimi është marrë “duke u prirë nga arsyeja e shëndoshë”.
Kurti ka thënë se vendimin vazhdon ta cilësojë të dëmshëm, por ka shtuar se pranimi në KiE do të ishte fitore historike.
Procesi gjyqësor për çështjen se kujt i takojnë 24 hektarë tokë dhe pyje kishte zgjatur nga viti 2000 deri në vitin 2016, kur Gjykata Kushtetuese pati vendosur në favor të Manastirit.
Gjykata Kushtetuese, asokohe, hodhi poshtë vendimin e Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, të vitit 2015, për kthimin e lëndës në Gjykatën Themelore në Deçan dhe konstatoi se vendimi i mëparshëm i Supremes në vitin 2012, i cili vërtetonte pronësinë e Manastirit mbi tokën e kontestuar, është gjykim i formës së prerë.
Para rreth tri vjetësh vjetësh, Gjykata Kushtetuese deklaroi se vendimi i saj nuk është duke u zbatuar. Në këtë vendim, Kushtetuesja thekson se nuk ka juridiksion të vlerësojë përgjegjësinë për mosekzekutimin e një vendimi të Gjykatës nga organet përgjegjëse, por që një vlerësim i tillë i takon Prokurorit të Shtetit, në pajtim me Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.
Çështja e pronës në Manastirin e Deçanit kishte krijuar mosmarrëveshje me autoritetet lokale në Deçan, edhe për ndërtimin e rrugës kryesore Deçan – Plavë. Punimet për ndërtimin e kësaj rruge fillimisht janë zhvilluar përmes Zonës së Mbrojtur të Manastirit dhe janë ndërprerë disa herë me kërkesë të Qeverisë së Kosovës dhe të bashkësisë ndërkombëtare. Ndërkaq para rreth katër vjetësh, një Këshill i përbërë nga përfaqësues të Qeverisë, Kishës Ortodokse Serbe dhe bashkësisë ndërkombëtare, kishin miratuar një marrëveshje për ndërtimin e një rruge alternative.