Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka zhvilluar të mërkurën mbledhjen e 33-të, e cila është mbajtur në formë elektronike.
Në këtë mbledhje janë miratuar disa vendime dhe kërkesa për transferim të mjeteve financiare.
Ekzekutivi ka miratuar kërkesën e Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës për transferimin e 4 milionë e 333 mijë e 900 eurove, për furnizim me barna nga Lista e Barnave Esenciale.
Po ashtu, është miratuar kërkesa e Ministrisë së Punëve të Brendshme për transferimin e 1 milion eurove, të destinuara për mbulimin e obligimeve që lidhen me shpenzimet operative.
Për Komunën e Podujevës është miratuar transferimi i 300 mijë eurove, për mbulimin e obligimeve kontraktuale.
Qeveria ka miratuar edhe vendimin për caktimin e kompensimit mujor të anëtarëve të Bordit të drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Korporata e Ruajtjes së Energjisë – KRE” (Energy Storage Corporation – ESCorp).
Ndër vendimet e tjera është edhe dhënia në shfrytëzim e një parcele kadastrale me sipërfaqe prej 999 metrash katrorë, në pronësi të Agjencisë Pyjore të Kosovës – Ndërmarrja e Pyjeve në Prizren, për nevoja të Ministrisë së Drejtësisë.
Në mbledhje është miratuar gjithashtu vendimi për nominimin e tre përfaqësuesve të Qeverisë në Këshillin Konsultativ për Komunitete.

