Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka marrë vendim që t’i hapë rrugë shpronësimeve për interes publik të pronave të cilat preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i Parkut Fotovoltaik”, për nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).
Kërkesa ka të bëj me Zonën Kadastrale Kryshevc të Komunës së Obiliqit dhe Zonën Kadastrale të Fushë-Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se qëllimi i këtij projekti është ndërtimi i parkut me panele solare për prodhim të energjisë elektrike me kapacitet prej 100 megavatë.
Propozimin para kabinetit qeveritar e bëri ministri i Mjedisit, Planifikimi Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.
“Departamenti i shpronësimit, me datën 1 shtator 2022 nga KEK ka pranuar kërkesën për shpronësim për pronat të paluajtshme që preken nga realizimi i projektit. Departamenti i shpronësimit ka konstatuar se kërkesa i plotëson kushtet ligjore, dhe i propozon qeverisë që të miratojë vendimin për shpronësim të mëtutjeshëm për pronat që preken nga ky projekt. Për realizimin e këtij projektit është e nevojshme që të kryhen procedurat e shpronësimit”, ka thënë Aliu.


