Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër Drejtorit aktual të Shërbimeve Publike Ever Shabanit dhe dy të tjerëve si dhe një subjekti juridik, të dyshuar për përfshirje në një skemë mashtrimi dhe keqpërdorimi të pozitës zyrtare lidhur me një projekt rrugor në Komunën e Suharekës.
Në qendër të aktakuzës janë Berat Kabashi, Zyrtar i Lartë për Menaxhimin e Projekteve në Komunën e Suharekës dhe Menaxher i Projektit, si dhe Enver Shabani, i cili në atë kohë ishte Mbikëqyrës i Drejtpërdrejtë i Menaxherit të kontratës.
Ndryshe sipas prokuorisë ata akuzohen për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”. Gjithashtu, D.S., në cilësinë e bashkëpronarit dhe drejtorit të kompanisë “S.C.O” Sh.P.K., dhe vetë subjekti juridik “S.C.O” Sh.P.K., akuzohen për “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik”.
Sipas Prokurorisë, gjatë periudhës 13 korrik 2022 – 12 dhjetor 2022, të pandehurit B.K. dhe E.Sh., duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, kanë tejkaluar kompetencat e tyre dhe kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik. Ata dyshohen se kanë hartuar raporte fiktive dhe të rreme, si dhe kanë nënshkruar raporte pranimi teknik, duke konstatuar se punimet për projektin “Ndërtimi i rrugëve lokale Lot 8-lot5 Nëntori i dytë, ‘’Xhemajl Morina’’, Mehmet Bytyqi segment në Reshtan” ishin kryer sipas kontratës.Në realitet, Prokuroria thekson se punimet nuk janë realizuar siç ishte paraparë. Edhe pse operatorit ekonomik i janë paguar 24,945.32 euro, vlera reale e punimeve të kryera ka qenë më e vogël. Diferenca prej 13,272.66 euro ka shkaktuar dëm material Komunës së Suharekës. Vlen të theksohet se këto punime, të cilat supozohej të ishin përfunduar, më vonë janë realizuar me një kontratë të dytë, të datës 22 nëntor 2022, me titull “Ndërtimi i rrugëve lokale Nëntori i dytë, ‘’Xhemajl Morina’’, Mehmet Bytyqi segment, etj në Reshtan – faza e dytë’’.Ndërkaq, i pandehuri D.S., si drejtor i kompanisë “S.C.O” Sh.P.K., në bashkëveprim me zyrtarët komunalë, dyshohet se ka shkelur procedurat e prokurimit publik. Ai ka lëshuar fatura fiktive për punë të pakryera, duke përfshirë një faturë prej 15,000.00 euro dhe një tjetër prej 9,945.32 euro. Këto fatura janë paguar nga Komuna e Suharekës, edhe pse gjendja në terren, sipas ekspertizës së fushës së ndërtimtarisë, vërteton se punimet nuk ishin realizuar. Përmes këtyre veprimeve, D.S. dhe kompania “S.C.O” Sh.P.K. dyshohet se kanë përfituar dobi pasurore të kundërligjshme, duke dëmtuar buxhetin e Komunës së Suharekës po me shumen 13,272.66 euro.Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. Ky rast nënvizon rëndësinë e transparencës dhe llogaridhënies në prokurimin publik, si dhe përkushtimin e institucioneve të drejtësisë për të luftuar korrupsionin.


