Zyra e Prokurorisë Speciale ka vazhduar me prezantimin e provave me të cilat po tenton që t’i inkriminojë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin në krime kundër njerëzimit.
Prokuroria përmendi para trupit gjykues lokacionet ku dyshohet se janë kryer disa nga krimet, me lejen dhe udhëheqjen e të akuzuarve.
“Viktimat u morën në pyetje, u rrahën dhe u maltretuan fizikisht. Të paktën 102 viktima nuk mbijetuan, por vdiqën mizorisht. Këto veprime përbënin veprën penale të përndjekjes për arsye politike ose etnike. Ndonëse intensiteti ishte i ndryshëm, krimet kryheshin në mënyrë të vazhdueshme. Provat tregojnë se krimet u kryen në praktika të ngjashme kohore dhe hapësinore. Pra, ishin të zgjeruara, pjesë e një sulmi që shënjestronte kundërshtarët. Ato u kryen për realizmin e krimit të përbashkët kriminal. Provat do të na tregojnë se të akuzuarit janë fajtorë”, u tha nga ZSP-ja.
U përmend transferimi dhe keqtrajtimi i disa personave në gushtin e 1998-s, nga fshati Bare i Mitrovicës drejt Bajgorës. Sipas ZPS-së, ky veprim u krye me vendim dhe me dijeni të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Në Jabllanicë, ku siç është në aktakuzë, në prill të 1998-s dhe korrik të 1998-s, u mbajtën 13 persona në periudha të ndryshme kohore. Në këtë vend, ku shfrytëzohej si kazermë ishin 3 të vrarë dhe 1 i zhdukur me forcë. Të akuzuarit vizituan Jabllanicën. Të paktën 4 viktima që ishin mbajtur, njëri prej tyre ishte pronar i një dyqani, e një i ri donte të kyçej në UÇK. Si pasojë e rrahjeve, njëri s’mund të merrte frymë mirë, e tjetri ishte ënjtur. Ata u akuzuan si kolaboracionistë dhe spiunë”, u lexua në provat e ZPS-së.
Sipas Prokurorisë, edhe në fshatin Llapushnik të Skenderajt u mbajtën me forcë disa persona, e në fund disa ishin liruar, ndërsa “dy viktimat që arritën të arratiseshin u kapën dhe u pushkatuan me pushkë”.
“Anëtarë të UÇK-së e morën një banorë të Zllashit e rrahën dhe kur e dërguan e rrahën atje disa pjesëtarë të UCK-së. Ai u akuzua si kolaboracionist dhe u rrah, duke i shkaktuar lëndime të rënda”, u tha tutje.
Për të parë gjykimin klikoni në linkun më poshtë