Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, në një konferencë të përbashkët me ministrin e deleguar për Evropën nga Republika e Francës, Benjamin Haddad, theksoi se Franca është një partnere e rëndësishme e vendit.
Ai shtoi se është i kënaqur se sot bashkë me ministrin francez, nënshkruan katër marrëveshje të rëndësishme për Kosovën.
“Është kënaqësi e veçantë që e mirëprita sot në ministrinë tonë, ministrin e deleguar për Evropë të Republikës franceze, Benjamin Haddad. Vizita juaj është dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Francës, dy vende që ndajnë të njëjtin vizion, për një Evropë më të sigurt, më të bashkuar dhe më të fortë”, u shpreh ai.
Sa i përket takimit dypalësh, ministri në detyrë tha se ishte i frytshëm dhe u diskutua për fuqizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Ndër të tjera, Konjufca tha se Kosova e ka bërë zgjedhjen e saj strategjike, e që sipas tij është Evropa.
“Zgjedhja jonë është Evropa, Bashkimi Evropian”, u shpreh zëvendëskryeministri në detyrë.
Pos tjerash, Konjfuca foli edhe për provokimet e Serbisë, teksa theksoi se paqja nuk mund të arrihet mbi mohimin e së kaluarës apo mbi thirrjet e përsëritjes së saj, por vetëm mbi të vërtetën.
“Kosova po investon në sigurinë e vendit dhe të rajonit, gjithmonë në raport me vendet tona aleate. Mbetemi të përkushtuar ndaj paqes, bashkëpunimit rajonal dhe dialogut, por edhe të mbrojtjes së vlerave”, u shpreh ai.
Sa i përket rrugëtimit të Kosovës drejt Bashkimit Evropian, Konjufca thotë se Franca mbetet një partner kyç.


