Prokurori Matthew Halling vazhdoi me deklaratën hyrëse, duke thënë se gjatë intervistimit në Hagë nga prokurorët e specializuar, Rexhep Selimi, ka konfirmuar postet që katër të akuzuarit kanë pasur gjatë luftës në Kosovë.
Më pas ai lëshoi një pjesë të intervistë në Hagë, ku Selimi flet se kush i shkruante komunikatat e UÇK-së dhe kush ishte përgjegjës për mesazhin që duhej nxjerrë në publik.
Aty, Selimi ka treguar se me komunikatat e UÇK-së është marrë Sokol Bashota.
Tutje, ai rrëfen se komunikatat janë hartuar nga “Zëri i Kosovës”.
“Me komunikatat është marrë Sokol Bashota. Komunikatat janë hartuar nga Zëri i Kosovës. Në prill të 1998 kemi emëruar zyrtarisht Jakup Krasniqin. Ai është ndihmuar edhe nga Hashim Thaçi”, tha ai.
Sipas Halling, Thaçi në fundin e vitit 1998 kishte marrë drejtimin e drejtorisë politike të UÇK-së, Veseli kishte qenë përgjegjës drejtorinë e zbulimit, Selimi ishte inspektor i përgjithshëm i UÇK-së dhe Krasniqi ishte zëdhënës, pra “i ngarkuar për t’iu dhënë zë” politikave të këtij organizimi.