Banorët e lagjes Arbëria në Prishtinë po përballen prej pesë ditësh me një situatë shqetësuese me mbeturinat. Kontejnerët janë vendosur para shtëpive, por sipas banorëve, ato nuk janë zbrazur nga Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” Sh.A – Prishtinë.
Pamjet e siguruara tregojnë kontejnerë të tejmbushur, qese mbeturinash të hedhura përreth dhe mbeturina që kanë filluar të shpërndahen në rrugë. Për shkak të temperaturave të larta, banorët thonë se tashmë në zonë ndihet edhe erë e rëndë kundërmuese.
Situata është veçanërisht shqetësuese pasi mbeturinat ndodhen pranë shtëpive dhe në hapësirat ku kalojnë banorët, duke krijuar jo vetëm një pamje të rëndë për lagjen, por edhe shqetësime për higjienën dhe shëndetin publik.
Prishtina, sërish përballë problemit të mbeturinave
Problemi nuk është i ri për kryeqytetin. Në shkurt të vitit 2025, Komuna e Prishtinës kishte shpallur gjendje të jashtëzakonshme për menaxhimin e mbeturinave, pasi gjendja ishte përshkruar si alarmante dhe me rrezik për përhapjen e epidemive. Në atë kohë, kryetari Përparim Rama kishte kritikuar efikasitetin e kompanisë “Pastrimi”.
Problemet vazhduan edhe gjatë vitit 2026. Në shkurt u raportua se, pavarësisht kontratave me operatorë privatë në vlerë prej afro 1 milion eurosh, disa lagje të Prishtinës vazhdojnë të mbeten me kontejnerë të mbushur për javë të tëra.





