Qeveria e Kosovës sot do të bëjë prezantimin e masës 1.2 për zbutjen e ndikimit të menjëhershëm socio-ekonomik të krizës energjetike përmes mbështetjes shtesë të njëhershme për blerjen e lëndës djegëse për ngrohje gjatë dimrit për familjet përfituese të asistencës sociale.
Takimi do të fillojë në ora 09:00.
Në takim fjalë hyrëse do të mbajnë kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, si dhe shefi i Seksionit për Bashkëpunim në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë Johannes Madsen Stenbaek.
Ditë më parë ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se secila familje që është përfituese e asistencës sociale, këtë muaj do të ketë edhe mbështetje shtesë të njëhershme për blerjen e lëndës djegëse për ngrohje gjatë dimrit.
“Secila familje që është përfituese e asistencës sociale, këtë muaj do të ketë edhe mbështetje shtesë të njëhershme për blerjen e lëndës djegëse për ngrohje gjatë dimrit, përkatësisht blerjen e druve të zjarrit”, ka njoftuar Murati.
Murati ka njoftuar se në kuadër të mbështetjes së familjeve në nevojë për të tejkaluar dimrin me sa më pak vështirësi, në mbledhjen e sotme të Qeverisë kanë miratuar ndarjen e 5 milionë eurove nga Pakoja Energjetike e Bashkimit Evropian (BE).
“Mbështetja financiare për këtë masë vjen nga Pakoja Energjetike e finacuar nga Bashkimi Evropian, e cila kap vlerën 75 milionë euro në total”, ka njoftuar tutje ministri.
Sipas tij, gjatë ditëve në vijim do të bëhet verifikimi i listave dhe MFPT-ja do të njoftojë me kohë edhe përfituesit në lidhje me zbatimin e kësaj mase.


