Partia Demokratike e Kosovës ka bërë një tjetër thirrje për vazhdimin e seancës konstituive të kuvendit, duke i kërkuar kryesuesit Avni Dehari që deputetët të mblidhen nesër, më 18 gusht.
Në kërkesën e tyre, deputetët e PDK-së kanë propozuar që seanca të nisë në ora 11:00, në përpjekje për t’i dhënë fund ngërçit rreth konstituimit të kuvendit.
PDK-ja e ka cilësuar situatën e krijuar si serioze, duke argumentuar se tejkalimi i afateve për konstituimin e kuvendit përbën shkelje të Kushtetutës dhe mosrespektim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
“Moskonstituimi i kuvendit brenda afatit të përcaktuar tashmë ka krijuar një situatë të rëndë të shkeljes së Kushtetutës dhe të mosrespektimit të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në letrën e PDK-së.
Sipas deputetëve të kësaj partie, mosrespektimi i afateve dhe procedurave të përcaktuara me rregulloren e kuvendit po e rëndon edhe më tej situatën politike.

