Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar Fazli Greiçevcin dhe Cen Dugollin, të cilët u vranë nën tortura në burgun e Prishtinës, në të njëjtën datë, por 34 vjet larg njëri-tjetrit.
Kurti ka thënë se të dy u vranë nga i njëjti pushtet, në të njëjtin vend dhe në të njëjtën datë, duke theksuar kontributin e tyre në përpjekjet për lirinë e Kosovës.
“Fazli Greiçevci dhe Cen Dugolli u vranë në të njëjtën datë, në të njëjtin vend dhe nga i njëjti pushtet, por në dy mote të ndryshme me 34 vite mes tyre. Sot, në përvjetorët e tyre, i kujtojmë Fazli Greiçevcin dhe Cen Dugollin”, ka shkruar Kurti.
Fazli Greiçevci, i lindur më 1935 në Sankoc të Drenasit, ishte mësues, poet dhe aktivist politik i Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve. Ai u arrestua pasi u dorëzua vetë në polici, ndërsa nga 3 gushti i vitit 1964 u torturua në burgun e Prishtinës. Si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj tij, Greiçevci vdiq më 17 gusht 1964.
Gjatë veprimtarisë së tij, Greiçevci kishte punuar si mësues në disa fshatra të Drenicës dhe kishte shkruar poezi, ndërsa pas vetes la mbi 200 poezi në dorëshkrim, të cilat u botuan në vitet ’90 dhe pas përfundimit të luftës.
Ndërkaq, Cen Dugolli, i lindur më 25 shtator 1966, ishte aktivist studentor, humanitar e politik dhe më vonë iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Nerodimës.
Dugolli u arrestua nga policia serbe më 21 qershor 1998 në shtëpinë e tij në Ferizaj dhe fillimisht u mbajt në burgun e Gjilanit, para se të transferohej në burgun e Prishtinës. Atje, sipas rrëfimit të Kurtit, ai iu nënshtrua torturave gjatë hetimeve. Gjendja e tij u përkeqësua deri në atë pikë sa më 16 gusht ra në koma. U dërgua në spitalin e Prishtinës, ku vdiq të nesërmen, më 17 gusht 1998.
Kurti ka kujtuar edhe avokatin e Dugollit, Dastan Rukiqin, i cili ishte arrestuar dhe burgosur nga autoritetet serbe gjatë kohës kur mbronte klientin e tij.
Në fund të postimit, kryeministri në detyrë ka shprehur nderimin për dy veprimtarët dhe për të gjithë ata që humbën jetën në përpjekjet për lirinë e Kosovës.
“Lavdi Fazli Greiçevcit e Cen Dugollit, dhe gjithë atyre jetëve që u shuan nga dhuna e regjimit serb në rrugën e angazhimit të tyre për lirinë e Kosovës!”, ka shkruar Kurti.

