Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot do të bëjë homazhe te varret e Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës, në Dubovik, në 42-vjetorin e vrasjes së tyre.
Më pas, ajo do ta vizitojë edhe kullën e familjes Gërvalla në fshatin Dubovik të Deçanit.
Pastaj në orën 13:00, ajo do të vendosë kurorë lulesh te busti i Kadri Zekës në Prishtinë.
17 janari i vitit 1982, është dita kur u vranë në një atentat vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.
Edhe pse kanë kaluar 42 vjet, ajo ditë mbetet përgjithnjë e freskët me zinë e saj, jo vetëm për familjet, por edhe për një numër njerëzish që kanë qenë të lidhur shpirtërisht e organizativisht me veprimtarët.
Atentati mbi dy vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën ka ndodhur në Untergrupenbach të Gjermanisë.
Nga autoritet shtetërore gjermane është lajmëruar se vrasës të panjohur kanë vrarë tre jugosllavë, dhe se ky ishte kulminacion i ri në luftën e fshehtë në të cilën agjentët e sigurimit jugosllav dhe kundërshtarët e pushtetit luftojnë në mes tyre.


