“Kush dreqin ju solli këtu?” dhe “Ku e shihni rrezikun?”, ishin pyetjet që raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ua bëri pjesëtarëve të njësisë speciale të Policisë së Kosovës, gjatë vizitës së saj në veri.
Kjo shkaktoi reagime në opinionin publik në Kosovës.
E lidhur me këtë ajo foli në një konferencë për media në përfundim të vizitës së saj.
Ajo tha se pa se policët nuk ndjeheshin rehat.
“Është detyra e tyre, nuk është dëshira e tyre, por e pashë se nuk ndjeheshin rehat. Është detyra e tyre, natyrisht se ata do të qëndrojnë aty. Dhe unë si politikane që një karrierë të gjatë pyeta: Çfarë dreqin po bëni këtu? Nuk është vendimi i juaj, e di këtë, por a mendoni se kjo është vërtetë e nevojshme?. Edhe ai zotëriu nuk mundi të më jap përgjigje të qartë në pyetjen time legjitime. Është e kuptueshme”, tha Von Cramon.
Eurodeputetja foli edhe rreth gjendjes që pa kur vizitoi veriun.
“Nëse hyni në një zonë civile në qytet ku gjendet objekti komunal dhe i shihni pesë vetura dhe dy apo tri njësi të policisë speciale, të armatosur rëndë me automatikë, shkopinj dhe me armë të ndryshme, dhe nuk shihni ndonjë kërcënim të qartë. Thjeshtë shihni se ata vetëm po rrin aty dhe po i bëjnë ndërrimet 24 orë në ditë”, tha eurodeputetja.


