Pas kërkesës së opozitës që kryeministri Albin Kurti të jetë në seancën e Kuvendit dhe të raportojë për situatën në veri, shefja e Grupit parlamentar të VV-së Mimoza Kusari Lila ka thënë se i kanë bërë ftesë Kurtit që kur ai gjen kohë të jetë i pranishëm në Kuvend për të trajtuar temën e veriut. Por ka thënë se ata si deputet duhet të vazhdojnë me agjendën.
“Unë ndaj një mendim tjetër nga kolegët. Pajtohem plotësisht dhe i kemi bërë ftesë kryeministrit që në kohen kur ka hapësirë kohore të vijë të bashkëbisedoj ose trajtojë temën në rëndësi të lartë në Kuvend. Por mendoj e besoj që mandatet e detyrat tona, janë për të kryer punën për çfarë jemi zgjedhur. Për të vazhduar me agjendën. Votimet e Projektligjeve e marrëveshjeve, që janë në agjendë janë mesazhi më i mirë për funksionalitetin e shtetit dhe republikës sonë, e cila në situata si kjo gjen forcën, kurajon dhe besimin për të vazhduar tutje dhe treguar se sfidat që i vijnë nga Serbia, aleati i Rusisë nuk duhet të na përçajnë dhe nuk duhet të na dobësojnë”, tha ajo.
Po ashtu pak para fillimit të seancës së Kuvendit të Kosovës, deputetët e AAK-së kanë vendosur pankarta në foltoren e Kuvendit të Kosovës me flamujt e SHBA-së dhe NATO-s.
Bashkëngjitur ishte edhe një mesazh ku thuhej “Edhe nëse Qeveria harron, populli nuk harron”.
Kjo protestë e AAK-së vjen pas akuzave të kësaj partie drejtuar Qeverisë për dëmtim të aleancës me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës.



