Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se gjatë takimit me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, e ka njoftuar atë se PDK-ja ka rezerva sa i përket planit franko-gjerman.
Krasniqi ka thënë të premten në një konferencë për media pas takimit me Lajçakun se ajo që ka Kosova tani është një marrëveshje e përkohshme jo me njohje të ndërsjellë por me Asociacionin në qendër.
“Në diskutimet për marrëveshjen e propozuar Lajçakut ia shpreha edhe njëherë qëndrimin e PDK-së, rezervat që i kemi sa i përket marrëveshjes për arsye të cilat i kemi diskutuar edhe në të kaluarën. Ne kemi qenë mbështetës të procesit të dialogut duke pritur një përfundim që sjell marrëveshje finale njohje të ndërsjellë. Ky ka qenë jo vetëm qëndrimi ynë po edhe qasja e partnerëve ndërkombëtarë. Fatkeqësisht ajo që kemi sot në tavolinë është një marrëveshje e përkohshme jo me njohjen e ndërsjellë por me Asociacionin në qendër”, ka thënë Krasniqi.
Sipas tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dështuar t’i bindë mbështetësit ndërkombëtarë për ta mbështetur Kosovën në realizimin e qëllimeve të saj.
“Sot nuk kemi një marrëveshje gjithëpërfshirëse, sot nuk kemi një marrëveshje finale, sot ne nuk kemi njohje të ndërsjellë, sot kemi një marrëveshje të përkohshme, kemi Asociacionin të cilin ne nuk e kundërshtojmë, sepse nuk e kemi kundërshtuar as më herët, por kemi nene të caktuara në marrëveshjen që rrezikojnë të shkojnë përtej Asociacionit e përtej Kushtetutës së Kosovës”, ka shtuar Krasniqi.
Ai ka shtuar se pa njohje të ndërsjellë vetëm do të ketë vazhdim të dialogut.


