Ad image

Krasniqi: Fyerja dhe diskriminimi ndaj veteranëve e papranueshme dhe e pafalshme

Kosova News
Kosova News 15:54 -06/06/2022

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka drejtuar një sërë kritikash në drejtim të kryeministrin Albin Kurti, pas protestës që mbajtën një numër veteranësh sot në Prishtinë.

Protestën veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e mbajtën në oborrin e Kuvendit të Kosovës, teksa disa herë kanë tentuar që me forcë të hyjnë brenda objektit të Kuvendit.

E për gjithë zhvillimet e sotme, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi e ka fajësuar kryeministrin e vendit.   

“Pushteti i Vetëvendosjes i udhëhequr nga  “veterani” i rrejshëm Albin Kurti, sot tregoi fytyrën e vërtetë me përbuzjen publike që u bëri luftëtarëve të lirisë.  Ngjarjet e sotme në Kuvendin e Kosovës dhe trajtimi i pa dinjitetshëm i veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga pushteti i Albin Kurtit, ishin pamje që asnjë qytetar i Kosovës nuk do të donte e as nuk do të duhej t’i përjetonte”, thotë në reagimin e tij Krasniqi.

Sipas tij, kjo fyerje e ky diskriminim ndaj veteranëve të vërtetë, edhe përmes iniciativave ligjore, ku kryeministri i Kosovës “i trajton luftëtarët e lirisë – kategorinë më meritore për lirinë tonë – si qytetarë të rendit të dytë, është i papranueshëm dhe i pafalshëm”.

“Albin Kurti dhe shërbëtorët e tij të verbër duhet ta dijnë që mbi guximin dhe sakrificën e këtyre veteranëve, ne kemi ndërtuar shtet e institucione, në të cilat ata sot janë strukur e po orkestrojnë politika diskriminuese ndaj tyre”, ka thënë Krasniqi.

Partia Demokratike e Kosovës, siç thekson Krasniqi, si lidere e opozitës me çdo mjet demokratik do të mbështesë të drejtat e veteranëve dhe nuk do të lejojë përbuzjen e çlirimtarëve në këtë mënyrë.

TAGGED: , ,
Shpërndaje