Rruga drejt normalizimit në mes të Kosovës dhe Serbisë, tema e energjisë dhe ajo e targave, ishin tema të diskutimit në takimin mes kryeministrit Albin Kurtit dhe emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, të enjten në Qeverinë e Kosovës.
“Takimi i sotëm ishte pjesë e komunikimeve të rregullta. Ishin dy çështje. E para ishte rruga drejt normalizimit dhe vazhdimi i diskutimeve që nisëm së fundmi që vazhduan edhe me intervenim të presidentit Macron e kancelarit Scholz dhe përfshirjen e Blinkenit. Diskutuam hapat e ardhshëm. Tema tjetër ishte ajo për energjinë dhe për targat”, ka thënë Lajçaku për gazetarët pas takimit.
Për çështjen e energjisë, Lajçaku ka theksuar rrezikun që t’i tërhiqet licenca Elektroseverit, ndërsa ka shtuar se për të njëjtat tema do të diskutojë të hënën edhe në Serbi.
“Për energji jemi në proces të konsultimit, ka rrezik t’i tërhiqet licenca Elektroserverit, e nuk duam të ndodhë kjo. Për këtë ftuam në Bruksel gjithë aksionarët, si KEDS e Elekstroserver të hënën, ku kemi kaluar ditën duke diskutuar situatën. Ka qenë me rëndësi për mua t’i sjelli konkludimet e diskutimit te kryeministri e të bisedojmë rrugën para. Do të jem në Beograd të hënën me të njëjtin synim dhe agjendë. Dua të gjej zgjidhje”, ka thënë Lajçak.
Ai ka refuzuar të komentojë deklaratat e Komisionerit evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi i BE-së, Oliver Varhelyi, që një ditë më herët kritikoi Kosovën për veprime të njëanshme. Lajçaku u shpreh se “ai e ka mandatin e tij dhe unë e kam timin”.
Theksojmë se menjëherë pas përfundimit të takimit me Kurtin, Lajçak ka nisur takimin e radhës në qeveri.
Aty tashmë ka takuar zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi. Këto takime janë të paparalajmëruara ndërsa mediat janë lejuar të marrin pamje vetëm nga oborri i ndërtesës së Qeverisë.


