Policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh të së premtes ka dhënë detaje lidhur me shembjen e dheut që ka ndodhur dje në rrugën “Gazmend Zajmi”, në Prishtinë.
Sipas policisë, rasti ka ndodhur në një vend punishte, ndërsa përveç dëmeve materiale, nuk raportohet për të lënduar.
“Rr. Gazmend Lajmi, Prishtinë 05.10.2023-11:50. Raportohet se në një vend punishte është shembur dheu dhe poshtë ka rënë një veture. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse. Përveç dëmeve materiale, nuk raportohet për të lënduar. Rasti duke u hetuar”, thuhet në raport.
Lajmin për shembjen e dheut dje e ka konfirmuar edhe Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë për rajonin e Prishtinës, e cila tha se rasti ka ndodhur rreth orës 12:00.
“Rreth orës 12:00 është raportuar për shembje dheu në një vend punishte në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë. Nuk raportohet për persona të lënduar përveç dëmeve materiale përfshirë këtu edhe një veturë. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po vijon punën për ndriçimin e rrethanave që karakterizojnë rastin”, tha Ahmeti.



