Policia e Kosovës, Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Ferizaj ka arrestuar 4 persona për Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik lidhur me tenderin për trajtimin e qenve endacak në komunën e Ferizajt.
Sipas burimeve të KosovaNews polica pas hetimeve disamujore ka arrestuar pronarin e kompanisë dhe tre persona të tjerë të kësaj kompanie të cilët nuk kanë zbatuar kushtet e tenderit për trajtimin e qenve endacak.
Arrestimi i tyre ka ndodhur për shkak që personat e dyshuar kanë keqtrajtuar qentë të cilët i kanë mbajtur në strehimore dhe për më tepër edhe i kanë mbytur ndërkohë që në bazë të kontratës së tenderit që ia kishte dhënë Komuna e Ferizajit qentë endacak duhet të trajtoheshin dhe të kenë përkujdesje e nevojshme karshi kushteve të kontratës.
Pas intervistimit me urdhër të prokurorit të katër të arrestuarve iu është shqiptuar masa e arrestit prej 48 orësh.
Komuna Ferizaj kishte ndarë 89.000 euro në vitin 2021 për t’i trajtuar 1 mijë e 300 qen endacakë, që sipas legjislacionit në fuqi do të duhej të trajtoheshin me metodën KSVL.


