Dy persona janë arrestuar mbrëmjen e së hënës në një hotel afër fshatit Banjskë të Zveçanit, ka konfirmuar Policia e Kosovës. Ata janë arrestuar nën dyshimin për armëmbajtje pa leje.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në veri, Veton Elshani, bëri të ditur se do të hetohet nëse kanë lidhje me sulmet ndaj Policisë së Kosovës të dielën.
“Ata janë zënë me një sasi të konsiderueshme të armëve. Mbetet të shihet nga hetimet nëse kanë lidhje me sulmet ndaj Policisë së Kosovës”, tha Elshani.
Theksojmë se të dielën, si pasojë e një sulmi të armatosur në Banjskë të Zveçanit u vra polici Afrim Bunjaku. Në aksionin e Policisë, dhjetëra sulmues të armatosur e uniformuar serbë u rrethuan në fshatin Banjskë.
Sipas të dhënave zyrtare, deri tash janë arrestuar gjashtë persona, dy prej tyre të uniformuar e katër që dyshohen për funksionim me grupin, nëpërmjet radiolidhjeve.


