Trajneri i Milanit, Stefano Pioli e ka quajtur finale ndeshjen e fundit të grupit me skuadrën e Newcastle United.
Grupin F e kryeson Borrusia Dortmund me dhjetë pikë, në vendin e dytë gjendet PSG me shtatë pikë, kurse Newcastle dhe Milan kanë nga pesë pikë. Një humbje e PSG nga Dortmund dhe një fitore e Milan do të bënte që skuadra italiane të shkonte përpara.
“Për ne është një finale. Është udhëkryqi i parë i vërtetë i sezonit, sepse qëndrimi në Evropë është objektivi ynë. Ne kemi mundësinë të fitojmë pa parë të tjerët. Motivimi, përqendrimi dhe vëmendja e ekipit do të jenë në maksimum”, ka thënë Pioli. “Newcastle është një nga kundërshtarët që ndryshon më shumë përsa i përket qëndrimit, intensitetit, energjisë dhe cilësisë së paraqitjeve midis ndeshjeve në shtëpi dhe jashtë. Në shtëpi ata kanë humbur vetëm një herë kundër Dortmund në Champions League dhe një herë në Premier League me Liverpool”.


