Në mbledhjen e 25-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, u miratuan dy Propozim-Vendime të propozuara nga Ministria e Drejtësisë: Propozim-Vendimi për ndalimin e ekzekutimit të Rregullores për Pranimin dhe Trajtimin e Thirrjeve Telefonike në Sistemin e Caktimit të Avokatëve sipas Detyrës Zyrtare (ex officio) të Odës së Avokatëve të Kosovës, si dhe Propozim-Vendimi për ndalimin e ekzekutimit të aktit mbi lartësinë e shpenzimeve për regjistrim në Odën e Avokatëve të Kosovës.
Gjatë prezantimit të propozim-vendimit të parë, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, theksoi se nga shqyrtimi i dispozitave të rregullores është vlerësuar se disa kërkesa procedurale mund dhe krijojnë pengesa praktike në funksionimin efektiv të mekanizmit të caktimit të mbrojtësit sipas detyrës zyrtare, veçanërisht në fazat fillestare të procedurës penale.
“Ky veprim synon të sigurojë ruajtjen e standardeve kushtetuese dhe ligjore të së drejtës për mbrojtje, si dhe të garantojë funksionimin e drejtë dhe efektiv të mekanizmit të mbrojtjes juridike, e veçanërisht mbrojtjen absolute të të drejtave themelore të njeriut për palët e së drejtës”, tha Ministrja Gërvalla duke nënvizuar domosdoshmërinë që zbatimi i Rregullores për Pranimin dhe Trajtimin e Thirrjeve Telefonike në Sistemin e Caktimit të Avokatëve sipas Detyrës Zyrtare të pezullohet përkohësisht, deri në vendimin përfundimtar të gjykatës.
Ndërkaq, përmes miratimit të Propozim-Vendimit për ndalimin e ekzekutimit të aktit mbi lartësinë e shpenzimeve për regjistrim të Odës së Avokatëve të Kosovës, parashihet se aktualisht lartësia e shpenzimeve për regjistrim në Odë të Avokatëve nuk duhet të tejkaloj shumën prej 1275.00€, ndërsa nga korriku shumën prej 1500.00€.
Ky propozim-vendim, siç deklaroi edhe Ministrja Gërvalla, vjen si rezultat i konstatimit se akti në fjalë nuk është në përputhje me dispozitat e Ligjit për Avokatinë, i cili përcakton se lartësia e shpenzimeve për regjistrim në Odën e Avokatëve nuk mund të jetë më e lartë se tri (3) paga minimale.
“Duke pasur parasysh rëndësinë e garantimit të zbatimit te ligjeve ne fushën e drejtësisë, dhe nevojën për funksionim të pandërprerë të sistemit të caktimit të mbrojtësve sipas detyrës zyrtare (ex officio), dhe bazuar në kompetencën e Qeverisë për mbikëqyrjen e ligjshmërisë së akteve të Odës së Avokatëve të Kosovës dhe të drejtën për të ndaluar ekzekutimin e tyre deri në vendimin përfundimtar të gjykatës kompetente, vlerësojmë të domosdoshme që zbatimi i lartësisë së shpenzimeve për regjistrim të pezullohet përkohësisht, deri në vendimin përfundimtar të gjykatës”, përmbylli Ministrja Gërvalla.



