Një grabitje e armatosur ka ndodhur sot në rrugën “Enver Maloku”, në lagjen “Bregu i Diellit” të Prishtinës. Objektivi ka qenë një institucion mikrofinanciar, ku grabitësit, nën kërcënimin e armës, kanë arritur të marrin një shumë parash.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti, njoftoi se pas marrjes së informacionit, forcat policore kanë dalë menjëherë në vendngjarje dhe janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e personave të dyshuar.
“Sot rreth orës 12:30 është raportuar për një grabitje të ndodhur në një institucion mikrofinanciar në rrugën “Enver Maloku” në Prishtinë. Pas marrjes së informacionit policia ka dalë në vendngjarje dhe bazuar në informacionet e para, dyshohet se dy persona të dyshuar-maskuar nën kërcënim të armës kanë grabitur një shumë parash. Policia po kryen veprimet e nevojshme policore me qëllim zbardhjen e rrethanave të rastit si dhe identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar, ka thënë Ahmeti.


