Ka përfunduar takimi ndërmjet kreut të ekzekutivit, Albin Kurti, dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
Zyra e Kryeministrit ka publikuar disa fotografi nga takimi, derisa nuk ka dhënë detaje për atë çfarë u bisedua ndërmjet kryeministrit dhe kryetarit të PDK-së.
Në takim, të pranishëm ishin edhe shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
Krasniqi është i vetmi prej liderëve të partive opozitare që pranoi ftesën për darkë me kryeministrin Albin Kurti, i cili ftoi të tre krerët e partive opozitare në një takim “për të shqyrtuar mundësitë e reja rreth përmbushjes së agjendës së mbetur legislative për sesionin pranveror”, siç thuhet në ftesë.
Kurti ka bërë të ditur se në këtë takim synohet të diskutohet agjenda legjislative, ndërsa përfaqësuesi i PDK-së, Krasniqi, ka përmendur se do të diskutohet edhe caktimi i datës së zgjedhjeve.


