Tashmë ka përfunduar takimi i kryeministri Albin Kurti me komisionerin për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi.
Ky takim që është zhvilluar për më shumë se një orë në objektin e Qeverisë së Kosovës ka mbaruar dhe nuk është dhënë ndonjë deklaratë për gazetarë. Për detajet pritet që të jepen me ndonjë komunikatë për medie.
Paraprakisht, Varhelyi është takuar me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se janë duke punuar dhe forcuar bashkëpunimin me BE-në dhe rrugën drejt Bashkimit Evropian.
“Vendi ynë që nga fillimi i luftës brutale të Rusisë kundër Ukrainës ka vendosur sanksione dhe ka ofruar ndihmë dhe do të vazhdojë përpjekjet tona për ta mbrojtur demokracinë dhe vlerat që na bashkojnë”, ka deklaruar Osmani gjatë konferencës për media.
“Sundimi i ligjit nuk është vetëm prioritet në letër, por angazhim i të gjithë liderëve institucionalë dhe i punës sime si presidente e Kosovës… Angazhimi ynë për ta forcuar Policinë dhe institucionet e tjera janë tejet të rëndësishme, por edhe prioritet i institucioneve tona, në këto përpjekje të përbashkëta BE-në ka përkushtimin tonë të plotë”.
Sipas saj, Kosova nga janari i vitit 2024 do të udhëtojë pa viza pas liberalizmit të vizave.
“A siç e dini pas vonesave të gjata e të padrejta Kosova, do të jetë më afër BE-së nga janari i vitit tjetër, sepse më në fund do të hyjë në fuqi vendimi për vizat”, ka thënë Osmani.
Kurse Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, gjatë vizitës së tij në Kosovë të enjten tha se porosia e qartë që vjen nga Kosova është se vendi është shumë i përkushtuar sa i përket përafrimit me Bashkimin Evropian.
“Ju keni treguar zotimin tuaj jo vetëm me fjalë por edhe duke na bashkuar me qëndrime të qarta sa i përket qëndrimit tonë rreth agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës”, tha Varhelyi, por shtoi se Kosovës i duhet të përshpejtojë zbatimin e reformave në drejtësi dhe të përmirësojë zbatimin e kornizave ligjore.




